AlbanianSport.com 01.10.2014 20:35
Kosova ka marr pjesë në kampionatin evropian të pingpongut, që përfundoi në Portugali, ndërsa dy drejtues të saj janë emëruar në struktura të rëndësishme të Federatës Evropiane të Pingpongut. Në të njëjtën kohë, Rusia premton viza për kosovarët. Sipas mediave vendase, Kosova, ka përfunduar me suksesedhe një pjesëmarrje në Kampionatin Evropian ekipor në pingpong në të cilën morën pjesë 43 shtete.
Në këtë kampionat mori pjesë edhe Kosova me ekipin e femrave në përbërje të të cilit ishin: Vlona Maloku, Linda Zeqiri dhe Amare Janjeva, e cila garoi në Divizioni Standard dhe zuri vendin e 4-të pas Belgjikës, Izraelit dhe Malit te Zi dhe duke lëne pas Maltën në vendin e 5-të. Lojtarja më e suksesshme e Kosovës ishte Vlona Maloku duke shënuar 3 fitore, ndërsa Linda dhe Amarja shënuan nga 1 fitore. Në këtë evropian ishin edhe dy arbitrat nga Kosova, Jeton Beqiri dhe Abedin Bahtiri.
“Gjatë mbajtjes së kampionatit u organizuan edhe shumë takime tjera të rëndësishme të strukturave të Federatës Evropiane të Pingpongut, si Kongresi Vjetor dhe takime të Bordit Ekzekutiv. Madje ky i fundit mbajti edhe zgjedhjet e reja, atje ku dy përfaqësues nga Federata e Pingpongut e Kosovës, Nehat Çitaku dhe Jeton Beqiri, janë zgjedhur në këtë forum”, – thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga Federata e Pingpongut të Kosovës.
Nehat Çitaku është zgjedhur anëtar i komitetit teknik të Federatës Evropiane të Pingpongut, kurse Jeton Beqiri në atë të gjyqtarëve. “Kampionati i ardhshëm do të mbahet në Ekaterinburg të Rusisë dhe prezantimin e organizimit të këtij aktiviteti në Kongresin e ETTU-së e bëri Drejtori i Departamentit të Sportit të Rusisë. Në praninë e te gjithë delegatëve rusëve iu kërkua garancia që kosovarëve t’u jepet viza për aktivitetin e ardhshëm. Garanci që Ronald Kramer, përfaqësuesi i qeverise ruse, e garantoi atë publikisht”, – thuhet në njoftimin e FPPK-së.