AlbanianSport.com 18.05.2016 18:25
ASNN – Kur Elda Gjoka promovoi në qytetin e lindjes BITT-in shumëkush mbeti i habitur. As mbështetës të sportit nuk e kuptuan idenë dhe dëshirën e saj të madhe për ta bërë trevën e Matit, sidomos qytetin e Burrelit, të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe matanë kufirit, në vendet e Ballkanit, e më tej. Vajza e talentuar matjane kontaktoi në vitin 2013 me autoritetet lokale. Falë aftësive të saj intelektuale, organizative dhe qytetare i bindi drejtuesit e Burrelit se kjo veprimtari është me rëndësi për qytetin e saj të lindjes.
Fjalëpakë e punëshumë nisi menjëherë nga puna. Bindja e vendorëve nuk ishte e vështirë, sakaq infrastruktura kishte problem serioze. Falë organizatores Elda Gjoka, Pallati i Sportit “Ferit Hysa” nga një gërmadhë e shkatërruar nga “huliganët” e subjekteve politike, që organizonin tubime në këtë mjedis, mori tjetër pamje. Për herë të parë që nga ndërtimi, Pallati i Sportit u ndriçua me pajisje bashkëkohore, moderne dhe funksionale. U riparuan të gjithë stolat. Tjetër pamje dhe funksion morën dushet e tualetet.
Ndërkohë si asnjëherë më parë, “banesat” e hijeshuan këtë mjedis sportiv. Ish-sportistja e talentuar matjane nuk mendoi vetëm për mbështetësit e sportit të pingpongut. Ajo negocioi me Federatën e Çiklizmit dhe solli prej vitit 2013 shumë ekipe në qytetin e Burrelit. Në BITT 2013 “Tribut Pasionit” në Burrel erdhën ekipet e çiklizmit të Apolonisë, Flamurtarit, Partizanit, Elbasanit, Teutës, Vllaznisë, Pogradecit, Tiranës e Burrelit. Një organizim perfekt i veprimtarisë. Në ndihmë të Gjokës do të ishin të afërmit e saj, drejtuesit e pushtetit lokal, sportistë si dhe sponsorë të ndryshëm, kryesisht nga qyteti i Burrelit.
Nëse gjatë veprimtarisë së parë, Elda Gjoka hasi në jo pak vështirësi, në “BITT”-et e tjera ajo mundi të realizojë aktivitete më të bukura, më joshëse, më masive, më cilësore. Në përfundim të ndeshjeve të zhvilluara të BITT 2014, “Tribut Miqësisë”, rezultuan fitues katër pingpongistë nga Kosova dhe u rikonfirmua kampioni i Ballkanit, Irfan Çekiç, nga Mali i Zi. Ish kampioni i Shqipërisë Jonuz Tufa e pati të pamundur ta përballonte numrin një të pingpongut të Kosovës, Nehat Çitakun. Fitorja e këtij të fundit ishte 3-0 dhe mori duartrokitje të shumta nga të pranishmit.
Për femrat veterane, mbi 40 vjeç, Besire Domeniku mundi po 3-0 lojtaren e Teutës, Valbona Shaqiraj. Rivalitet pati përballja mes kosovarit Besart Domeniku dhe boshnjakut Mustafa Ferhatoviç për moshat 40-49 vjeç. Pas barazimit 1-1, Domeniku kaloi në epërsi dhe fitoi 3-1. Bledar Suxha e Artur Kapaj, dy lojtarë me aftësi të kufizuara, zhvilluan një lojë të bukur dhe tërheqëse. Pas barazimeve 1-1 e 2-2, fitorja 3-2 i buzëqeshi matjanit Suxha. Vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqën dy ndeshjet e fundit, ato për femra e meshkuj, nga 18-40 vjeç.
Kampionia e Shqipërisë, Anila Selimi (Gjoka) nuk e përballoi dot mjeshtërinë e kampiones së Kosovës, Vlona Maloku e cila fitoi 3-0, duke siguruar kështu kupën e katërt për Federatën e Pingpongut të Kosovës. BITT 2014 është mbyllur me ndeshjet më të fortë të këtij aktiviteti, ajo mes kampionit të Ballkanit, sportistit nga Mali i Zi, Irfan Çekiç dhe kampionit të Kosovës, Milot Makolli. Tre setet janë fituar pa shumë lodhje nga Çekiç 11-5, 11-6 dhe 11-5, pra 3-0”. Kjo është kronologjia e veprimtarisë BITT 2014.
Kupat, certifikatat e dhuratat për fituesit janë dorëzuar nga Milorad Trpkovski, Adelina Farrici, Nehat Çitaku e Dinoshi. BITT 2015 “Tribut mësuesve” pati cilësi më të lartë, rivalitet më të fortë, pjesëmarrës më të shumtë, bukuri më të madhe. Organizatorët dorëzuan titujt dhe medaljet për fituesit. Në fillim drejtoresha e veprimtarisë, Elda Gjoka, falënderoi Bashkinë e Burrelit, sponsorët, sportistët pjesëmarrës, si dhe mediet për kontributin që dhanë për tre ditë me radhë.
Për kategorinë e Nën-15-vjeçarëve meshkuj fitues u shpall Julian Hoxha, për kategorinë “Disabled” Refik, Kryeziu, për veteranë meshkuj Jonuz Tufa, për femra e para rezultoi Liridona Rexhaj dhe Anila Selimi dhe për kategorinë veteran individuale mbi 60 vjeç, Edmond Krifca.