AlbanianSport.com 29.05.2016 07:45
ASNN – Pingpongistja e Teutës, e cila do të jetë në finalen dyshe, individuale dhe lojën mikse, ka habitur të gjithë të pranishmit. Sot dita e finaleve për të mbyllur të gjithë veprimtarinë. 100 sportistë nga gjashtë shtete kanë rivalizuar për dy ditë me radhë mes tyre, ndërkohë kolegët e skuadrave dhe tifozët e pranishëm kanë duartrokitur për lojtarët më të mirë. Nuk kanë munguar në shkallët e Pallatit të Sportit “Ferit Hysa” edhe drejtues të pushtetit lokal dhe mysafirë nga Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Kosova e Shqipëria.
Sipas kryegjyqtarit të garave, ndërkombëtarit Klodian Gjata, ditën e parë janë luajtur ndeshjet në lojën dyshe dhe dyshe e përzier. Deri në mesnatë lojtarë të ekipeve të ndryshme kanë matur talentin e tyre duke iu drejtuar gjysmëfinaleve që luhen sot paradite. Po ashtu dje, sipas Gjatës, janë luajtur ndeshjet në grupe për të rritura dhe të rritur. Në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar kanë përfunduar ndeshjet në grup dhe kanë mbërritur në turin çerekfinal. Kryegjyqtari Gjata nënvizoi se Liridona Rexhaj e Teutës së Durrës është paraqitur mjaft mirë dhe sot do të ketë 3 finale.
Në lojën dyshe, ajo do të përballet me shoqen e skuadrës Alba Xhupi, në kategorinë individuale me lojtaren maqedonase A. Uçe dhe në garën e përzier me Rrahman Ademajn e Kosovës. Paraqitja e Rexhajt ka befasuar të gjithë të pranishmit, lojtarë të ekipeve shqiptare dhe të huaja, trajnerët e tyre, madje dhe të pranishmit nga qyteti i Burrelit. Trajneri i Teutës, Musa Tërniqi, nuk e fshehu gëzimin për rezultatet e arritura nga durrsakja Liridona Rexhaj.
Specialistë të Pingpongut shprehen se risi e këtij BITT-i ishte pjesëmarrja e sportistëve nga Serbia dhe ndeshjet e luajtura mes tyre me pingpongistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Bosnje-Hercegovina. Ditën e parë ato kanë luajtur ndeshje më cilësore, ndërkohë dje janë përballur me lojtarë më të fortë. Sipas organizatorëve janë luajtur në dy ditët e parë 220 ndeshje, ndërkohë që finalet do të luhen sot paradite për t’i lënë vendin pastaj ceremonisë dhe dhënies së titujve fituesve.
Për koordinatoren e BITT 2016, Esmeralda Hoxha, kjo veprimtari e kaloi çdo parashikim për sa i përket numrit të sportistëve pjesëmarrës, cilësisë së ndeshjeve të luajtura, mbështetjes nga ana e pushtetit lokal. Pritet që sot të luhen ndeshjet më të mira të BITT 2016 “Tribut për Matin”. Lojtarët që mbërritën në ndeshjet finale do të bëjnë të pamundurën të fitojnë trofe dhe t’i mbajnë kujtim nga BITT-it 2016.