Gjergj Vyshka 04.03.2015 11:40
Kompania “Genuine Effect”, nëpërmjet koordinatores së projekteve Esmeralda Hoxha, ka lajmëruar se sot në mesditë në mjediset e Pallatit të Sportit “Ferit Hysa” në Burrel do të prezantohet aktiviteti “BITT 2015”. Quajtur ndryshe turneu ndërkombëtar i pingpongut i krijuar që në vitin 2013, i cili ka për qëllim zhvillimin e miqësisë nëpërmjet sportit.
Prezantimi i kësaj veprimtarie do të bëhet nga drejtoresha e kompanisë “Genuine Effect”, kampionia e pingpongut shqiptar Elda Gjoka. Mbi të gjitha do të jenë dhe kryetarja e Bashkisë së Burrelit, Adelina Farici, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshi.
E gjithë veprimtaria, ashtu sikurse ka ndodhur dhe në dy vitet e kaluara, është marrë përsipër nga “Genuine Effect”, sepse “Tribut miqësie”, quajtur ndryshe BITT, është konsideruar si një respekt për trajnerin e pingpongut të Burrelit, Dalip Gjoka. Gjithçka që do të ndodhi në këtë veprimtari të sivjetme, që sigurisht do të shoqërohet dhe me etapën e çiklizmit, Tiranë-Burrel, do të thuhet sot në konferencë shtypi nga Elda Gjoka, Adelina Farrici dhe Tonin Binoshi.