AlbanianSport.com 14.10.2015 12:30
ASNN – Vijojnë përgatitjet për Kampionatin Ballkanik të pingpongut për veteranë, që do të organizohet në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” në qytetin e Burrelit nga data 30 tetor, deri më 1 nëntor 2015. Esmeralda Hoxha, Menaxhere e Projektit prane “Genuine Effect”, bën me dije se janë bërë përgatitjet vizuale të eventit, të cilat në ditët që vijnë do të shpërndahen, ashtu siç është shpërndarë posteri.
“Java në vijim do të ketë njoftime zyrtare drejtuar Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake Mat dhe Spitalit te Burrelit, duke kërkuar kështu angazhimin e tyre përgjate ditëve të aktivitetit, – deklaroi ajo. – Federatat e Ballkanit: Shqipëria, Bosnje & Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Rumani, Serbia dhe Turqia kanë marrë prej pothuajse tre javësh ftesën zyrtare nga Unioni Ballkanik i Pingpongut.” “Kjo ftesë për pjesëmarrje është shoqëruar edhe me zhvillimin e eventit, i cili konsiston në rregullat dhe menyrën e organizimit”, – shtoi Hoxha. Brenda pak ditëve do të inspektohet Pallati i Sportit “Ferit Hysa” Burrel për të parë nga afër kushtet që ai ofron dhe për të ndërhyrë me investime nëse është e nevojshme.
Bashkëpunimi dhe bashkëkomunikimi në rrugë zyrtare dhe në mënyrë të përditësuar dhe të vazhdueshme me Federatën Shqiptare të pingpongut vazhdon që nga nënshkrimi i kontratës për organizimin e kësaj veprimtarie më 11 shtator 2015.