AlbanianSport.com 30.07.2015 16:30
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat në Prishtinë, një ditë më parë, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, pati deklaruar për mediat kroate se Kosova mund të luajë në ndeshjet eliminatoret të vlefshme për “Botërorin 2018”, që do të zhvillohet në Rusi.
Vokrri theksoi që Platini i ka dhënë mbështetjen e nevojshme për pranimin e Kosovës në UEFA. “Për ne është me rëndësi që të nisim, ta bëjmë hapin e parë, – pati thënë Vokrri. – Është një shpresë reale që, në fillim të vitit të ardhshëm, të bëhemi pjesë edhe zyrtarisht me të drejta të plotë e UEFA-s.”
“Mishel Platini na ka garantuar se ky do të jetë një formalitet”, – shtoi ish-lojtari i Prishtinës dhe Partizanit të Beogradit. Por nuk ka vonuar dhe përgjigja e Rusisë për këtë çështje. Sikundër pritej, Presidenti i nderit në Federatën e Futbollit të Rusisë, Vjaçesllav Koloskov, deklaroi se Kosova nuk mund të luajë në Botërorin e 2018-tës.
Koloskovi deklaroi për mediat ruse se shorti është përcaktuar nga FIFA dhe jo nga UEFA. Ndër të tjera ai shton se nuk beson që Platini të ketë thënë gjëra të tilla për Kosovën, pasi ai e njeh mirë mënyrën e funksionimit të gjërave, si në UEFA, ashtu edhe në FIFA.