Gjergj Vyshka 11.03.2017 18:05
Ymer Pampuri, pas vdekjes, është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë anëtarë të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, trajnerë të ekipit kombëtar, si dhe Zëvendës-Ministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, dhe Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka vlerësuar se Ymer Pampuri është një ikonë e peshëngritjes shqiptare, si dhe një frymëzim për brezat e peshëngritjes. Kurse presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, do të deklaronte: “Kam nderin e madh që në emër të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes t’iu falënderoj për vlerësimin e lartë që i bëtë ikonës së sportit shqiptar, rekordmenit olimpik dhe të botës, Ymer Pampuri.”
“Kanë kaluar pak javë nga ndarja e jetës së Ymerit dhe të vetmin peng që ai kishte ishte mungesa e titullit “Nderi i Kombit”, që u realizua në kohë rekord, – ka vijuar ai. -Peshëngritja është sport elitar dhe unë përfitoj që, në emër të ekipit kombëtar, i cili është duke u përgatitur në Durrës për Evropianin e Peshëngritjes, që do të mbahet në Split nga data 1, deri më 9 prill 2017, t’iu them se do të takohemi shpejt me medaljet evropiane të shtangistëve tanë”.
E kështu Ymer Pampuri pas vdekjes është shpallur “Nderi i Kombit”.