AlbanianSport.com 19.03.2016 15:25
ASNN – Evangjeli Veli, vajza 25-vjeçare nga Fieri, por që garon për Tiranën, është një nga dy peshëngritëset femra që do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të Të Rriturve, që zhvillohet Oslo të Norvegjisë, nga data 6, deri më 16 prill 2016. Në një prononcim për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, Veli është shprehur tepër optimiste për garën e prillit në Oslo. “Është hera e parë që jam pjesë e kombëtares shqiptare të peshëngritjes dhe për këtë gjë jam shumë e kënaqur, sepse do të garoj për flamurin kuqezi”, – ka thënë ajo.
“Unë kam lënë Greqinë, ndonëse jam me pasaportën e atij shteti, vetëm e vetëm që t’i bashkohem kombëtares së Shqipërisë, – ka vijuar shtangistja e re. – Dhe besoj se kam bërë përzgjedhjen e duhur. Kam një muaj e gjysmë që po stërvitem me trajnerin tim personal, Oneld Firanji, në palestrën e fshatit Shtërmen. Gjithçka po shkon shumë mirë dhe jam në formë po të mirë, ndërsa jemi duke u stërvitur me dy seanca në ditë, paradite dhe pasdite. Kushtet janë mjaft të mira në kompleksin “Xhelili”, si ushqimi, ashtu dhe kushtet e fjetjes.”
“Pra gjithçka është në rrugë të mbarë, – ka vijuar 25-vjeçarja. – Kam dalë sportistja më e mirë në Kupën e Shqipërisë, e cila më 4 mars 2016 u zhvillua në Tiranë, dhe kjo tregon edhe njëherë se e meritoj këtë vend në kombëtare. Kam dy vjet që stërvitem dhe falë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, të cilin gjej rastin ta falënderoj, m’u dha mundësia të garoj dhe për ekipin kombëtar të vendit tim. Do të synojmë tre vendet e para në Evropianin e Oslos në prill, ndërsa do të sfidojmë rivale nga vende me traditë, si Ukraina, Rumania dhe ndonjë shtet tjetër.”
“Përsa i përket stërvitjeve, ato janë duke u ulur, ndërsa tani jemi përqendruar tek cilësia, – ka vijuar shtangistja shqiptare, Evangjeli Veli. – Kam bërë dy teste antidopingu, ndërsa nuk kam asnjë lloj problemi dhe jam në rregull. Falënderoj shumë trajnerin tim, që ka qenë dhe është tepër i përkushtuar me mua në çdo seancë dhe besoj se do t’ia shpërblej me një medalje.”