Gjergj Vyshka 24.01.2016 23:40
Federata Shqiptare e Peshëngritjes tashmë e ka bërë zyrtare se të hënën në Shtërmen do të nisë grumbullimi për t’u përgatitur për Kampionatin Evropian të Të Rriturve, që do të mbahet në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, në prill të këtij viti.
Pa thënë që për të gjithë kandidatët e kombëtares së shtangës do të ketë edhe test antidoping në mënyrë që të gjithë të ikin “me mendje të fjetur” se do të jenë vetëm për garë.
Dhe të grumbulluarit në Shtërmen do të jenë: Ana Jovani, Shqiponja Brahja, Evangjeli Veli, Emanuel Lushi, Romario Avdiraj, Briken Calja, Edison Nela, Alban Hoxha, Krenar Shoraj, Elvis Tabaku, Endri Karina, Sopot Sula, Xhuljo Prroni dhe Edison Elmazi.
Për pak ditë do të mungojë Erkand Qerimaj, i cili do të vazhdojë përgatitjet e tij në Tiranë, ndërsa është duke vazhduar një kurs pasuniversitar. Por tanimë Shqipëria e ka nisur seriozisht përgatitjen e Evropianit në Oslo në prill.
Ndërkohë, janë 324 medaljet që ka marrë në 43 vjet peshëngritja, nga të cilat janë 108 medalje Ari, 121 medalje Argjendi dhe 95 Medalje Bronzi dhe kjo në të gjitha grupmoshat e konkurrimit.