AlbanianSport.com 29.01.2016 10:25
ASNN – Peshëngritja shqiptare përgatitet për një tjetër veprimtari, Evropianin e Norvegjisë, që është kualifikues për në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Shtangistët kuqezinj do të përfaqësohen me një ekip të plotë, meshkuj femra dhe synojnë medalje në këtë veprimtari.
Por presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, ka kërkuar që sportistët të dalin të pastër në testet antidoping e më pas do të konkurrojnë.Ndërkohë, ekipi kombëtar i peshëngritjes ka nisur grumbullimin në Shtërmen, për t’u përgatitur për garat e Kampionatit Evropian, që do të zhvillohet në Norvegji, duke nisur nga data 9 prill 2016.
Janë 14 sportistë dhe 4 trajnerë të cilët kanë nisur punën për t’u paraqitur sa më mirë në këtë veprimtari, që është kualifikuese për në Lojërat Olimpike “Rio De Zhaneiro 2016”. Presidenti i FSHP-së, Elez Gjozaj kërkon medalje dhe renditjen ekipore në një nga tre vendet e para, por për arritjen e këtij objektivi kërkohet edhe figura e pastër e çdo sportisti përsa i përket dopingut.
Për sportistët që do të kualifikohen në Olimpiadën e Rios, shoqata “Arbëria” në Hjuston, në SHBA, ka afruar ndihmën e vet. Andon Haxhiraj, Sekretari i kësaj shoqate, ka garantuar një trajnim të plotë për sportistët e kualifikuar. Shoqata Arbëria në Hjuston ka dhënë ndihmesën e saj në kurimin e peshëngritësit Emanuel Lushaj.