Gjergj Vyshka 17.10.2015 14:20
Për t’u evidentuar është fakti që nga sot do të nisë grumbullimi i kombëtares në Shtërmen për t’u përgatitur për Botërorin e të rriturve në Hjuston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga data 16, deri më 28 nëntor 2015.
Dhe Shqipëria, ashtu sikurse është deklaruar edhe më parë, do të përfaqësohet nga Shqiponja Brahja në peshën 48 kg, Evangjeli Veli në peshën 53 kg, Emanuel Lushi në peshën 62 kg, Alban Hoxha në peshën 69 kg, Briken Calja në peshën 77 kg, Erkand Qerimaj në peshën 85 kg, Krenar Shoraj në peshën 85 kg, Ervis Tabaku dhe Endri Karina në peshën 94 kg.
E shumica e këtyre peshëngritësve është shpallur kampion duke treguar formën e tyre të mirë dhe duke shpresuar se do të kemi medalje. Për gjithçka që është bërë dhe për mënyrën se si është zhvilluar, Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes i ka ngjarë një Evropiani të vogël.
Sepse arena ka qenë po ajo e vitit 2013, atëherë kur në prill në Tiranë është zhvilluar Kampionati Evropian i të rriturve pikërisht në “Asllan Rusi”. Ndoshta ka qenë edhe një provë për t’u bindur se Shqipëria mund të jetë dhe organizatore e Botërorit të të rriturve më 2018, ndërsa sot është afati i fundit i dorëzimit të dosjes në Federatën Botërore të Peshëngritjes.