AlbanianSport.com 14.05.2015 14:40
ASNN – Përtej mungesës në Botërorin e fundit, por edhe problemeve me pezullimet me sportistët e saj cilësore, Federata Shqiptare e Peshëngritjes u rikthehet pjesëmarrjeve në arenën ndërkombëtare, ndonëse në një shkallë modeste.
Në mbledhjen e fundit të kryesisë u mor në diskutim ftesa e Federatës Evropiane të Peshëngritjes në Kupën e San Marinos dhe u vendos përfaqësimi i Shqipërisë me katër sportistë.
Zyrtarisht, konfirmohet se sportistët e përzgjedhur janë tre meshkuj dhe një femër (ende e papërcaktuar). Nga peshëngritësit meshkuj do të ngjiten në pedanë: Emanuel Lushi, Sopot Sula dhe Bruno Nuha.
Trajner i Kombëtares do të jetë Kreshnik Leka, ndërsa delegacioni kuqezi do të shoqërohet nga presidenti i federatës, Elez Gjoza dhe sekretari i përgjithshëm, Agron Haxhihyseni.
Nga stafi shprehen të sigurt se do të synohet fitorja e medaljeve të arta, përfituar nga forma shumë e mirë që po kalojnë sportistët.