Gjergj Vyshka 29.09.2016 08:50
Matias Lenkser, menaxheri i garave në Federatën Botërore të Shtangës, ka konfirmuar marrjen e kërkesës së peshëngritjes shqiptare, ndërsa ka lajmëruar se përzgjedhja do të bëhet më 2017-ën. Nuk duhet harruar që Shqipëria ka fituar edhe të drejtën e organizimit të Kampionatit Evropian të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve vitin e ardhshëm. Shqipëria e peshëngritjes është kandidate për organizimin e Kampionatit Botëror të Të Rinjve më 2019-ën.
Kjo ka qenë përgjigja me postë elektronike që Matias Lenkser, menaxheri i garave në Federatën Botërore të Peshëngritjes, ka dërguar të martën në mesditë drejtuesve të shtangës shqiptare. Duke iu drejtuar Presidentit Elez Gjoza dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Agron Haxhihyseni, Federata Botërore e Peshëngritjes ka konfirmuar se e tashmë e kanë marrë kërkesën e Shqipërisë për të pritur e organizuar Kampionatin Botëror të të rinjve më 2019-ën.
“Për t’iu qartësuar, – thuhet në mesazhin e drejtuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, – Nën-23-vjeçarët si grupmoshë, që ju përmendni në kërkesën tuaj, nuk njihet më nga Federata Botërore e Peshëngritjes. Ju informojmë se ndarja e vendit organizator për zhvillimin e Kampionatit Botëror të Të Rinjve më 2019-ën do të bëhet vitin e ardhshëm. Hollësirat e mëtejshme në lidhje me procedurën e kandidaturës do të publikohen më vonë.”
“Ju lutem që nëpërmjet “e-mail”-it, apo dhe telefonit, të mos hezitoni për të bërë ndonjë pyetje për këtë gjë”, – shton zyrtari ndërkombëtar i shtangës. Dhe i gjithë ky informacion i ka lumturuar drejtuesit e Federatës Shqiptare e Peshëngritjes. Periudha e fundit është shoqëruar me pagesën e gjobës prej 100.000 eurosh për rastet e dopingut, por dhe me vendin e 5-të të Briken Caljes në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, si dhe vendin e tetë të Evangjeli Velit po në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Parë kështu ardhja e një kampionati botëror, edhe pse do të jetë për të rinj, do të jetë një vlerë e shtuar për peshëngritjen shqiptare, që kështu ka një mundësi të artë për rritjen e figurës së saj ndaj ndërkombëtarëve.