AbanianSport.net 27.12.2014 19:50
ASNN – Pas Romela Begajt, tashmë është radha e Daniel Godellit dhe Hysen Pulakut për të bërë analizat e testit B. WADA ka konfirmuar se testi B për Daniel Godellin do të bëhet më 15 janar, ndërsa për Hysen Pulakun më 13 janar 2015. Kampioni i botës në peshëngritje, Daniel Godelli, në një intervistë për mediat shqiptare shprehet se “pres që testi B të rezultojë negativ, pasi kurrsesi nuk kam përdorur asnjë substancë të ndaluar”.
“Për sa i përket mjekut që do të zgjedh ende nuk e kam vendosur, jam duke biseduar me Federatën, por mund të marr edhe mjekun grek që kishte edhe Romela Begaj”, – ka shtuar ai. Por si do të veprojë Godelli nëse edhe analizat e testit B rezultojnë pozitive? “Padyshim që nuk do të dorëzohem këtu, por do të vazhdoj më tej duke e dërguar çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, pasi kam besim te pafajësia ime”, – ka thënë ai.
“Madje nëse është e nevojshme do të jap edhe ADN time për ta provuar një gjë të tillë”, – ka shtuar peqinasit. Në vazhdim të prononcimit, Godelli shprehet se përveç Federatës, i ka munguar mbështetja në këtë moment të vështirë që po kalon. “Në Shqipëri kur je mirë dhe shpallesh “kampion” të gjithë të duan dhe respektojnë, ndërsa kur ndodhesh në moment të vështirë, askush nuk kujtohet, por të harrojnë”, – ka thënë Godelli.
:Edhe pse procesi është ende në vazhdim dhe mund të bëhet ndonjë koment, këtu të shpallin fajtor”, – përfundon 23-vjeçari nga Peqini.