AlbanianSport.com 25/08/2021 17:35
ASNN – Përtej polemikave që i kanë paraprirë pjesëmarrjes në këtë veprimtari ndërkombëtare, me trajnerë të ndryshëm që akuzuan FSHP-në se u mohoi garimin 3 sportistëve të rinj, ka ardhur sidoqoftë një lajm i mirë për Shqipërinë Në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Nën-17-vjeçarët.
Kështu, Samuel Bishanaku është shpallur “nënkampion” i Evropës për grupmoshën e Nën-17-vjeçarëve në peshëngritje në kampionatin, që është duke u zhvilluar në Poloni. Vetëm 16 vjeç, me 128 kilogram në stilin e shkëputjes ai është renditur i dyti dhe është kësisoj medalist i argjendtë.
Bën mirë edhe në stilit të shtytjes, atje ku me 150 kilogram arrin të jetë në vendin e 4-t. Dhe me 228 kilogram gjithsej në dygarësh, Bishanaku është në vendin e 4-t në kategorinë e peshës trupore deri në 73 kg. Duhet theksuar se, për një kilogram më tepër në dygarësh, ai do të kishte merituar vendin e tretë dhe medaljen e bronztë.
Sidoqoftë, edhe duke qenë i vetmi përfaqësues i Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për grupmoshën e Nën-17-vjeçarëve, Bishanaku ka bërë gjithçka mirë dhe ka merituar medaljen e argjendtë në stilin e shkëputjes. Kështu peshëngritja shqiptare është duke fituar breza të artë të rinj, sikurse është Samuel Bishanaku, nënkampion Evrope në stilin e shkëputjes në peshën 73 kilogram.