Gjergj Vyshka 19.01.2017 15:25
Gazeta “Sport Ekspres” ka kontaktuar me presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili ka treguar se gjërat nuk mund të zgjidhen me statuse në Facebook. Sipas tij nuk bëhet fjalë për Kupën e Shqipërisë, por për mosparaqitjen e Qerimajt në kampionatin kombëtar. A është në luftë të hapur Gjoza me sportistët? Kjo ishte pyetja që “Sport Ekspres” i bëri presidentit Gjoza në lidhje me debatet që kanë lindur me Qerimajn tani dhe me Sulën më përpara.
“Ne kemi nisur një reformë në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, sepse pa disiplinë të hekurt nuk mund të kemi rezultatet e duhura”, – ka thënë Gjoza. – Jemi djegur më parë dhe nuk mund të vazhdohet më që sportisti të bëjë presidentin, sekretarin, apo trajnerin. Nuk mund të vazhdohet më që sportisti të fyej presidentin e sekretarin dhe të thyejë disiplinën. Kush bën këto hapa do të penalizohet. Gjërat nuk mund të zgjidhen me statuse në “Facebook”.
“Nëse kanë gjë le t’i drejtohen institucionalisht Federatës, – ka vijuar ai. – Unë nuk kam thënë që Qerimaj ka munguar në Kupën e Shqipërisë, por në Kampionatin Kombëtar, atje ku ka paraqitur raport. Jo vetëm kaq, por në Kampionatin Evropian u dëmtua, ndërsa në fakt kishim paguar lekët për të. Ne jemi Federata Shqiptare e shumësportëshit që kemi trajtimin më të madh ushqimor për sportistët dhe nuk është e vërtetë që kemi shkuar për shëtitje në Izrael.
“Përkundrazi kemi marrë Kampionatin Evropian të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve, atje ku, nga data 15, deri më 22 tetor 2017 do të vijnë plot 700 sportistë , – ka theksuar kreu i organizmit që qeveris shtangën shqiptare. – Mos harroni që e kemi buxhetin 50,000 euro dhe duhet jemi nikoqirë, kurse vetëm “Eleiko” do të sjellë një bazë materiale që shkon 150 mijë euro. Palestra e rretheve me vendim të Këshillit të Ministrave janë të Bashkive, ne mendojmë që me sallën e re në Parkun Olimpik të kemi kushtet ideale.”
“Vetëm me dorë të hekurt bëhet sporti i peshëngritjes dhe keni për të parë që katërvjeçarin e dytë do të kemi rezultate shumë të mira. Nuk mund t’i lejohet një sportisti të bëjë fushatë pro apo kundër presidentit. Tashmë gjërat do të jenë të ndara sportisti do të bëjë sportistin, trajneri-trajnerin, pra të gjithë në detyrat e tyre”, – ka përfunduar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.