Gjergj Vyshka 07.11.2016 15:15
Plas te peshëngritja, akuzat e shtangistëve për drejtuesit aktualë: “Thjesht për hakmarrje, sportisti nuk merr as atë për të cilën punon, pra minimalen të shkojë në gara ndërkombëtare”. AlbanianSport.com po ju sjell një deklaratë të peshëngritësit Kristi Ramadanit, i cili ka folur dhe në emër të Sopot Sulës, e që për transparencë të lexuesve po vjen e plotë dhe pa shkurtime.
“Prej një muaj unë, së bashku me Sopot Sulën, jemi grumbulluar në Resortin “Tropikal” dhe kemi bërë përgatitje për Kampionatin Evropian të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve, që do të zhvillohet në Izrael, nga data 2, deri më 10 dhjetor 2016. Dhe ky grumbullim është falë kandidatit për president në zgjedhjet e ardhshme të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhori Masllavica. Stërvitja ka qenë e kënaqshme me rezultate progresive nga dita në ditë dhe, sipas deklarimeve të bëra, pozicioni im në renditje ishte në vend të 10-të nga 21 sportistë pjesëmarrës, ndërsa Sopot Sula ishte i treti mes 25 sportistë, pra në zonën e medaljeve.
Duhet theksuar se rezultati real i të dyve është më lart se ai i deklaruar. Pra nuk mund të thuhet se rezultatet tona nuk janë të kënaqshme dhe se nuk mund ta rendisim vendin tonë në një pozicion të mire dhe se nuk mund të sjellim medalje. Deri me datë 3 nëntor 2016 emrat tanë ka qenë në deklarimet e Evropianit, por në deklarimet e fundit të bëra emrat tanë ishte hequr. Dhe për këtë donim një shpjegim nga krerët e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Vetë personalisht kam telefonuar Sekretarin e Përgjithshëm për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur, por ai nuk e hap telefonin. I telefonoj presidentit, telefoni i tij del i padisponueshëm.
E pasi sekretari hap telefonin thotë që nuk mund të flas sepse jam i zënë dhe e mbyll menjëherë, gjë e cila nuk ka kuptim sepse Federata duhet të jetë gjithmonë në dispozicion të sportistit. E pasi flasim me të na thotë se rezultatet tona janë jo të kënaqshme, por sipas deklarimeve kjo gjë është totalisht e pavërtetë. Për Sopot Sulën është hera e dytë që digjet, sepse herën e parë e hoqën nga Kampionati Evropian, pasi nxori një artikull në gazetë, ndërsa deklaronte se Federata Shqiptare e Peshëngritjes është kthyer në një “klub rakie”. Çfarë është kjo, federatë hakmarrëse? Ata nuk mund të luajnë me mundin dhe djersën tonë.
Ne jemi sportistë, nuk kemi lidhje me një kandidat për president, apo për një tjetër. Ne duam që e ardhmja jonë të jetë e sigurt, e mbrojtur dhe të marrim çfarë na takon. Sportistët nuk mund të jenë të kënaqur me këtë situatë. Peshëngritja, që është sporti elitar në vend, po vjen drejt rrënimit dhe këto katër vjet kanë qenë më të dobëtat për ne. Ka rënë pjesëmarrja, s’ka më palestra, nuk kemi një doktor, një fizioterapist që të dimë çfarë pimë e çfarë hamë. Kam që në vitin 2014 që shpallem sportisti më i mirë i veprimtarisë për grupmoshën deri në 17-vjeç dhe këtë vit dhe për grupmoshën e Nën-20-vjeçarëve.
Në çdo garë ndërkombëtare kam shkuar falë familjes sime dhe mbështetjes së Theodhori Masllavicës. Vitin e kaluar jam pozicionuar në vendin e 5-të në Evropë, gjë që nuk është pak për një shtet të vogël si ne. Na premtohet shumë, por nuk marrim asgjë. Kemi një president që nuk mban premtimet, i cili të gënjen e të thotë “puno fort dhe përgatitu për Evropian” dhe më pas, pasi e çon emrin, e heq sërish. Një Federatë që s’ka transparencë, nuk kemi trajtim, nuk kemi rroga dhe të gjithë e dimë që shtanga është sporti që merr grandin më të madh. Trajnerëve tanë nuk u lejohet të vendosin fatin tonë, të vendosin se kush duhet të na drejtojë dhe u hiqet e drejta e votës.
Federata jonë nuk ka një Komitet Ekzekutiv, të cilët të jenë ata që të japin vendimet. Çdo gjë bëhet sipas dëshirës së zotit president, askush s’merr atë që meriton. Thjesht për hakmarrje sportisti nuk merr as atë për të cilën punon, pra minimalen të shkojë në gara ndërkombëtare. Nëse vazhdon kështu e ardhmja është e zymtë, nuk ka më konkurrencë, nuk ka më talente të reja, sepse të gjithë janë djegur këtë 4 vjeçar. Gjërat duhet të ndryshojnë sa më shpejt, nëse jo, do jemi ne sportistët që do të çojmë të drejtën tonë në vend. Ne duam mbështetje, duam siguri dhe duam të mos na hiqet çfarë ne meritojmë.
Ne kemi gjetur sponsorë, jemi gati të ikim me lekët tona nëse Federata s’ka “fonde”. Por këta nuk na pyetën fare, i hoqën emrat tanë pa na marrë asnjë lloj mendimi ose të na pyesnin e të diskutonin me ne. Federata e di shumë mirë që në një shumicë garash kemi shkuar me shpenzimet tona”.