Gjergj Vyshka 12.12.2014 10:25
Vetëm katër muaj më parë ka qenë i dënuar me të njëjtën substancë, tanimë përsëri: “Nuk e di se si është kjo punë, e bërë me qëllim, apo e shitur, por di që na e futën bukur”. Duket si e rëndë, por Hysen Pulaku, njëri prej peshëngritësve të kapur me doping në analizat e Kampionatit Botëror të Kazakistanit, ka akuzuar drejtpërdrejtë. Sepse kombëtarja e peshëngritjes shqiptare, e cila ka pasur për trajner Sokol Bishanakun, Zef Kovaçin dhe Gazmend Hakcanin, është stërvitur për më shumë se sa dy muaj në Greqi.
Jo vetëm kaq, por ka pasur dhe një fond të veçantë nga qeveria prej 140 milion lekë të vjetra për përgatitjen e këtij Botërori, ndërsa në rastin e marrjeve të medaljeve të gjithë kanë falënderuar Luan Shabanin. Por Pulaku, ndërsa janë tre peshëngritës të kapur me të njëjtën substancë, stanozolol, ka hedhur akuzën më të rëndë. “Nuk di se çfarë të them, – ka thënë ai. – Sigurisht që është e njëjta substancë, por ama jemi kap të gjithë me të njëjtën substancë. Që do të thotë se Greqia, atje ku ne bëmë përgatitjet, na e kanë futur bukur.”
“Është “e futme” e bukur, sepse të jeni të bindur që askush nga ne nuk do ta kishte përdorur dhe nuk e ka përdorur me ndërgjegje këtë substancë, – ka vijuar elbasanasi. -Nuk arrij ta marr me mend se si, por ose na kanë shitur ndërkombëtarët, ose është e bërë me qëllim, sepse askush nuk pranon që ne si shqiptar të jemi “kampion bote”, apo “kampion Evrope”. Do t’ia lëmë në dorë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, sepse ato do ta ndjekin atë çështje.”
“Dhe nuk diskutohet që ne do ta bëjmë dhe analizën B, sepse do të mbrojmë veten për të thënë që jemi të pastër. Ajo do të bëhet shumë shpejt dhe nuk di të them gjë tjetër pa dalë përfundimi i saj. Jam shumë i shokuar, sepse të them të drejtën nuk ka mundësi të ndodh një gjë e tillë”, – ka përfunduar Pulaku. Në fakt në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes nën zë e kanë pretenduar që është një sabotim për të keqën e peshëngritjes shqiptare. Sipas tyre, “lubinjtë” e mëdhenj si Kina, Rusia, Azerbajxhani, apo dhe medalistë të tjerë, nuk mund të pranonin kaq lehtë që Shqipëria të ishte kampione e botës me dy peshëngritës.
Hysen Pulaku në fakt është përsëritës në analizat e antidopingut. Nëse para dy vjetësh, në prag të Lojërave Olimpike “Londër 2012” pat dalë me substancën e ndaluar hidroksistanozol, tashmë është me stanozol. Si përsëritës, ndërsa sipas rregullores së Federatës Botërore të Peshëngritjes, apo dhe Agjencisë Botërore të Anti-Dopingu, ai dënohet nga dy deri në katër vjet. Dhe nëse e bën përsëri, atëherë përjashtohet. Përtej kësaj Shqipëria do të ketë një gjobë 100.000 euro, ndoshta shoqëruar dhe me pezullim nga të gjitha veprimtaritë, çka do të jetë shumë më e rëndë.