Adriatik Balla 02.06.2015 09:55
Dalja në media e shtangistit Daniel Godelli, i cili në një intervistë për gazetën “SOT” tha ndër të tjera se FSHP nuk e ka informuar mbi korrespondencën që kjo federatë ka me Federatën Botërore, ka sjellë një krisje të madhe në komunitetin peshëngritjes dhe ka vënë nën presion vetë zyrtarët e federatës, të cilët po përpiqen të kapen pas rregulloreve, duke mos denjuar në asnjë moment të sqarojnë pozicionin e tyre dhe fajësinë ose bashkëfajësinë në skandalin e dopingut.
Vendimin për të shkuar në Athinë, atje ku është marrë dopingu, e ka marrë federata, pavarësisht se mund të jetë kërkuar nga sportistët. Por kulmi i këtyre marrëdhënieve të tensionuara arrin me deklaratat e shtangistit Hysen Pulaku, i cili akuzon Federatën Shqiptare të Peshëngritjes se e kanë kërcënuar për të paguar 5 mijë dollarë si masë ndëshkimore për daljen me doping dhe gjobën që i është vënë FSHP-së. Pulaku pretendon se fajtore është vetë federata dhe ai ka larguar përgjegjësinë nga vetja.
Madje ai ka deklaruar se ka hyrë në garën e Botërorit të Kazakistanit i imponuar, me kërkesën e presidentit të FSHP-së Elez Gjozaj. Kërkesën në mënyrë ultimative që ai të paguajë 5 mijë dollarë, në një kohë që është dënuar tetë vjet nga Federata Botërore, e quan të pabazë dhe të paarsyetuar. Madje Pulaku akuzon federatën se nuk merr përgjegjësitë dhe jo vetëm kaq, mundohet të shkarkojë fajin e saj tek sportistët. Kuptohet qartë se sportistët nuk duan të paguajnë, duke bërë përgjegjëse vetë FSHP-në, e cila ka përzgjedhur që sportistët të shkojnë të stërviten në Greqi.