AlbanianSport.com 11.04.2016 15:20
ASNN – Kampionati Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur, i cili është duke u zhvilluar në Fjërde të Norvegjisë dhe ka nisur dje, vijon sot me garat e ditës së dytë të tij. Duhet theksuar se për Shqipërinë e shtangës kjo është shpresa e fundit për të shkuar me normë kualifikimi në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Dhe e para në garë ka qenë Shqiponja Brahja, e cila ka garuar në grupin A të kategorisë së peshës trupore deri në 48 kg. Në garën e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ajo ka zënë vendin e 8-të me 165 kg në dygarësh.
Sot do të jetë radha e Romario Avdirajt i cili garon në grupin B në peshën 62 kg, dhe Evangjeli Velit, e cila garon në grupin A të peshës 53 kg. Nga sportistja e cila është cilësuar si pasardhëse e Fetije Kasës dhe Romela Begajt, synohet podiumi, pasi rezultatet e saj në garat e Kupës së Shqipërisë, që u mbajt gjatë muajit mars, kanë qenë mjaft premtuese.
Të martën do të jetë në garë Briken Calja në peshën 69 kg, të mërkurën Erkand Qerimaj pesha 77 kg. Kurse të enjten Krenar Shoraj në peshën 85 kg. Dhe mbyllin gjithçka për shtangën kuqezi në Norvegji Endri Karina dhe Sopot Sula në peshën 94 kg të premten.