Gjergj Vyshka 11.04.2016 07:05
Ka nisur paraqitja e Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur, i cili është duke u zhvilluar në Fjërde të Norvegjisë. Ai është shpresa e fundit për shtangistët kuqezi për të shkuar me normë kualifikimi në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Ndaj dhe është vlerësuar maksimalisht, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm Agron Haxhihyseni janë në krye të delegacionit shqiptar. Më parë ata kanë qenë në Kongresin Zgjedhor të Federatës Evropiane të Peshëngritjes.
Dhe e para në garë ka qenë Shqiponja Brahja, e cila në peshën 48 kg, teksa ka qenë në grupin A, ka zënë vendin e tetë me 165 kg në dygarësh. Në shkëputje ajo është e 7-ta. Në provën e parë ka ngritur 75 kg, por më pas ka dështuar në dy tentativa 79 kg dhe 80 kg.
Në shtytje ka realizuar 90 kg në provën e dytë dhe më pas ka dështuar në tentativën për 96 kg duke zënë vendin e 8-të. Përfundimisht me 165 kg në dygarësh është në vendin e 8-të. Sot paradreke do të jetë radha e Romario Avdirajt, i cili do të garojë në grupin B në peshën 62 kg dhe Evangjeli Velit në peshën 53 kg.
Të martën do të jetë në garë Briken Calja në peshën 69 kg, të mërkurën Erkand Qerimaj pesha 77 kg. Kurse të enjten Krenar Shoraj në peshën 85 kg. Dhe e mbyllin gjithçka për shtangën kuqezi në këtë Evropian Endri Karina dhe Sopot Sula në peshën 94 kg të premten.