AlbanianSport.com 15.11.2014 13:45
Gjatë pritjes së delegacionit të shtangës kuqezi, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se po punohet edhe për një status të ri për sportistët që do të sillet së shpejti në parlament. “Në jemi të vendosur për të hapur një faqe të re për sportin në Shqipëri, dhe jo vetëm, – ka zbuluar ajo. – Është gati fondi prej 6.5 milion dollarësh për palestrën moderne që do të stërviteni ju dhe të tjerë ndjekës të juaj.”
“Sot ka festë Peqini, por nuk mbetet vetëm aty se është festa e gjithë Shqipërisë. Sot ka festë edhe një shkollë në Farkë për mësuesen e tyre të fizkulturës, Romela Begaj, pasi ia vlen të mbështesësh talentin, – ka vijuar ajo. – Nuk do të ketë më sportistë në Shqipëri që meritojnë të vlerësohen dhe nuk marrin shpërblimin e tyre. Ne do të përmbushim të gjithë djersën për këta sportistë.”
“Kryeministri më tha që të lajmëroj Danielin dhe Romelën për një palestër model, dhuratë e një kampioni të madh për qytetin e tij, Peqinin. Ne po punojmë që në parlament të sjellim një status të ri për sportistët shqiptarë”, theksoi ministrja Nikolla. Ndërkohë që ka siguruar që të paktën për Romela Begajn, e cila është kampione e botës në stilin e shkëputjes, do të ketë shpërblim nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave.