Gjergj Vyshka 07.12.2014 13:50
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, që dje ka qenë i pranishëm në kampionatin kombëtar të të rinjve, ka bërë të ditur se testi B i analizës antidoping të Romela Begajt do të bëhet më 16 dhjetor.
“Ne kemi shumë dyshime, sepse duke qenë vendi i vogël të tjerët na luftojnë shumë, aq më tepër që bëhet fjalë për medalje ari në Kampionati Botëror, – ka deklaruar ai. – Në tre analiza para Botërorit dhe ka dalë e pastër.”
“Ka shumë abuzime për rastin në fjalë, – ka vijuar kreu i peshëngritjes shqiptare. – Por megjithatë, edhe sikur analiza B të dalë si e para, ne do t’i bëjmë një tjetër kontroll Begajt me shpenzimet tona.”
“Sepse jemi të bindur që ka diçka nuk shkon në këtë rast me peshëngritësen tonë, e cila nuk ka mundësi ta dalë pozitiv kur katër ditë përpara kishte rezultuar e pastër. Megjithatë duhet të presim”, – ka përfunduar Gjoza.
Ndërkohë, mësohet se përgjigja e analizës B të Romela Begajt vjen më 22 dhjetor 2014.