AlbanianSport.com 02.04.2016 08:00
ASNN – Dje pasdite, rreth orës 18:30, kombëtarja e peshëngritjes e Shqipërisë ka bërë garën e fundit të kontrollit përpara nisjes për në Kampionatin Evropian të të rriturve, i cili zhvillohet në Oslo nga data 10, deri më 16 prill 2016.
Në palestrën e fshatit të vogël Shtërmen, ku është zhvilluar dhe gara e kontrollit, ka qenë i pranishëm presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, së bashku me sekretarin e përgjithshëm Agron Haxhihyseni.
Përveç 8 sportistëve të kombëtares në garën e kontrollit kanë qenë të pranishëm dhe shumë sportdashës. Sportistët u paraqitën mjaft mirë, ku ra në sy Briken Calja i peshës 69 kg dhe Erkand Qerimaj i peshës 77 kg.
Për vajza paraqitje mjaft të mirë bëri dhe Evangjeli Veli, e cila do të kërkojë medalje në këtë Evropian. Edhe Endri Karina solli emocione tek të pranishmit, që tregoi cilësi mjaft të mira në këtë garë kontrolli.
Po ashtu dhe Sopot Sula dhe Krenar Shorja, pa harruar këtu dhe peshëngritësen më të vjetër në moshë Shqiponja Brahja. Edhe trajnerët kanë ngelur të kënaqur me sportistët, atje ku Ilir Suli është shprehur i sigurt që Calja nuk del pa medalje në Norvegji.
Gjithashtu dhe Zef Kovaçi, trajneri i Qerimaj që ka qenë disi i rezervuar, nuk e ka frenuar optimizmin e tij për sportistin shkodran. Kjo ka qenë gara e fundit në këto përgatitje intensive, që kanë zgjatur gati dy muaj e gjysmë në palestrën e Shtërmenit.
Tashmë ekipi kombëtarë është gati për garën e madhe e Kampionatit Evropian, që do të zhvillohet në Forde të Norvegjisë, ku konkurrenca dhe rivaliteti do të jetë shumë i madh.