AlbanianSport.com 02.10.2014 13:20
ASNN – Federata Shqiptare e Peshëngritjes nuk humb kohë në grumbullimin e sportistëve kandidatë që do të garojnë në Kampionatin Botëror të Almatit në Kazakistan nga data 4, deri më 16 nëntor 2014. AlbanianSport.com ka mësuar se të dielën është nisur drejt Greqisë një përfaqësi sportistësh për një tjetër fazë përgatitore, ndoshta e fundit përpara eventit kazak.
Mes të përzgjedhurve nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes mësohet se janë Daniel Godelli, Erkand Qerimaj, Sopot Sula e Endri Haxhihyseni. Favoritë për Botërorin e Kazakistanit, që është edhe garë kualifikuese e Lojërave Olimpike “Rio 2016″, do të jenë kampionët sipas peshave përkatëse, por nuk përjashtohet mundësia edhe e vendeve të dyta.
Pak ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Muharrem Berisha, konfirmoi për faqen tonë se Shqipëria do të shkojë në Botëror me të paktën 8 sportistë. Përpara nisjes, kombëtarja do të zhvillojë gara kontrolli, si dhe teste antidoping.