Gjergj Vyshka 05.01.2017 10:25
Fundi i vitit 2016 ka shënuar dhe një tjetër veprimtari për peshëngritjen shqiptare. Me nismën e biznesmenit dashamirës të shtangës, Theodhori Masllavicës, është zhvilluar për herë të katërt Kupa “MASGLASS”. Një veprimtari që ka ngjitur në pedanë jo vetëm peshëngritësit e këtij klubi, por dhe të Shtërmenit, apo dhe ekipeve të tjera. E në total kanë qenë të pranishëm 19 peshëngritës kryesisht të “MASGLASS”-it dhe Shtërmenit.
Jo vetëm kaq, por të pranishëm në këtë veprimtari kanë qenë edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha, sportistët Daniel Godelli, Krenar Shoraj, si dhe trajneri i kombëtares së peshëngritjes shqiptare, Leonard Toska.
Në përfundim të garave, Vendin e parë e ka merituar i riu premtues, Kristi Ramadani, i cili në dygarësh ka ngritur 234 kg. Në vendin e dytë është renditur Rilind Hysa i “MASGLASS”, me 210 kg në dygarësh, dhe, në vendin e tretë, Alent Elezi i Shtërmenit, me 205 kg në dygarësh.
Në këtë veprimtari, edhe sipas të pranishmëve, sportistët treguan përgatitje tekniko-taktike të lartë, ndërsa shumë prej tyre premtojnë për të qenë një bazë e fuqishme për ekipet kombëtare të peshëngritjes. E në fund Kristi Ramadani ka treguar se vazhdon të jetë në një formë të mirë sportive.