Gjergj Vyshka 16.05.2016 09:35
Antonio Urso, Presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, sot do të jetë në Tiranë, ndërsa në mesditë së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, do të jetë në një konferencë për shtyp.
Qëllimi i vizitës së tij, ashtu sikurse është bërë e ditur dhe më parë nga drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, është se Tirana do të jetë organizatorja e Kampionatit Evropian për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët në 2017-ën.
Ndërkohë Urso, edhe duke qenë se konferenca për shtyp do të zhvillohet në mjediset e Akademisë së Shkencave, do të ketë edhe një pritje kortezie nga kryetari Akademik Muzafer Korkuti.
“Sepse sporti është shkencë në vetvete dhe si e tillë edhe peshëngritja është shkencë”, – ka shpjeguar Akademiku Gudar Beqiraj, kurse takimi mes Ursos dhe Korkutit do të zhvillohet sot në ora 11:30 e më pas, në ora 12:00, konferenca për shtyp.
Nuk duhet harruar që më parë Shqipëria ka qenë organizatore e Kampionatit Evropian të të rinjve në shtator 2008 në Durrës, si dhe e të rriturve në Prill 2013 në Tiranë. Ndaj jo vetëm vizita e Ursos, por dhe organizimi i Kampionatit Evropian të të rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve për peshëngritjen shqiptare është nder.