Gjergj Vyshka 08.10.2015 09:50
Shqipëria e peshëngritjes pasi ka humbur dy shanse për medalje në Kampionatin Evropian të Të Rinjve me Emanuel Lushin në peshën 62 kg dhe Alban Hoxha në peshën 69 kg, tashmë pret të marrë medalje me Krenar Shorajn në kategorinë e peshës trupore deri në 85 kg për Nën-23-vjeçarët.
Sipas deklarimeve që vijnë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Agron Haxhihyseni, Shoraj me 340 kg në dygarësh do të jetë në zonën e medaljeve. “Ne na vjen keq për Lushin, i cili u dëmtua keq dhe e kemi dërguar në spital”, – ka thënë Gjoza.
“Ndërkohë Hoxha, edhe duke qenë një peshëngritës i ri, mirë është. Shpresojmë që sot Shoraj të na japi medalje”, – ka shtuar duke folur për gazetën “Sport Ekspres”, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, që së bashku me sekretarin e përgjithshëm Agron Haxhihyseni ndodhen në Klaipeda të Lituanisë.