Gjergj Vyshka 02.03.2016 14:20
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar që javë më përpara nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili në garën e kontrollit kishte deklaruar se i gjithë ekipi kombëtar do t’i nënshtrohet analizave antidoping, gjithçka është kryer dje në Shtërmen. Pikërisht drejtoria e sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, së bashku me Komisionin Kombëtar të Antidopingut, kanë qenë në palestrën e ekipit tonë kombëtar në Shtërmen.
Bëhet fjalë për një kontroll të befasishëm, ndërsa gjithçka është kryer larg kamerave dhe larg gazetarëve, sepse duhet ruajtur sekreti dhe privatësia e atyre që do të merreshin në këtë kontroll. Dhe vetëm pasi të vijnë rezultatet, të cilat do të shkojnë të analizohen në një nga laboratorët e licencuar nga Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA), atëherë mund të thuhet ndonjë gjë e saktë.
Por e vërteta është se në këto analiza kanë marrë pjesë të gjithë peshëngritësit e ekipit kombëtar, që përgatiten për Kampionatin Evropian të Oslos, që do të zhvillohet nga data 10, deri më 16 prill 2016, i vlefshëm për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, kjo me normë. I gjithë ky kontroll i befasishëm antidoping është ndjekur nga Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, si dhe kryetari i Komisionit Kombëtar Antidoping, Klodian Allajbeu.
Sakaq mësohet zyrtarisht se të premten në mjediset e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” do të zhvillohet Kupa e Shqipërisë për të rritur, atje ku dhe do të shihet gjendja e pjesëtarëve të ekipit tonë kombëtar përpara Evropianit.