AlbanianSport.com 19/04/2018 13:20
ASNN – Peshëngritja shqiptare bëhet gati për Kampionatin e Moshave, që do të jetë i përbashkët Shqipëri-Kosovë, ndërsa do të zhvillohet të premten në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Është veprimtaria e parë i shtangës shqiptare nën drejtimin e presidentit Theodhor Masllavicës, i cili më 5 prill është zgjedhur president pas fitores 19 me 2 me Ilirjan Topuzin.
Ndërkohë kanë nisur dhe urimet e ndërkombëtarëve, ndërsa një i tillë ka mbërritur dje nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Dr. Hasan Akush. “Dëshiroj t’ju përgëzoj që ju keni zgjedhur Presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes më 5 Prill 2018”, – shkruan në mesazhin e tij zyrtari i organizmit që qeveris shtangën kontinentale.
“Dëshiroj që Federata Shqiptare e Peshëngritjes, nën udhëheqjen tuaj, të jetë shumë e suksesshme në këtë mandat të ri. Ju lutem pranoni urimet e përzemërta për ju dhe për të gjithë anëtarët e sapozgjedhur në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes”, – përfundon mesazhi i turkut Akush, kurse tashmë shtanga shqiptare është gati për garën e parë të vitit, atë të moshave Nën 15 dhe Nën-17-vjeç.