Gjergj Vyshka 03.01.2015 14:25
Ilir Kulla, zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, është personi i ngarkuar nga Komiteti Drejtues që të merret me mbrojtjen e sportistëve deri në panelin e dëgjimit. Edhe Kulla, dje në konferencë për shtyp, ka qenë në të njëjtën linjë me Gjozën, teksa ka deklaruar se deri sa të shprehet paneli i dëgjimit nuk do të ketë qëndrim nga Federata.
“Unë kam qenë me dy sportistët në Këln, më 13 janar me Hysen Pulakun dhe më 15 janar me Daniel Godellin, – ka deklaruar ai. – Duhet të dini se çfarë ka në A është dhe në B edhe është e firmosur nga mjekët e laboratorit dhe personat e Federatës. Në momentin që do të vijë ne do ta vëmë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.”
“Arsyet e vonesave ne nuk i dimë, – ka thënë më tej nr. 2 i organizmit që qeveris shtangën kuqezi. – Ne nuk mund t’i fshehim dot, sepse ata bëhen shpejt të ditura për të gjithë botën. Duhet të dini që as testet B nuk e japin dot përfundimin. I vetmi që do të marrë vendim përfundimtar është paneli i dëgjimit. Kemi dhe rastin e Endri Haxhihysenit, që në B doli i pastër.”
“Megjithatë do të flasim vetëm pas panelit të dëgjimit, por në të njëjtën kohë nuk do të lejojmë të shkatërrohet jeta e atyre sportistëve që kanë dhënë gjithçka për peshëngritjen”, – ka përfunduar zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kulla.