AlbanianSport.com 20.09.2015 13:45
ASNN – Janë 4 sportistë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Botërorin e Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët, që do të zhvillohet në Lituani nga data 1, deri më 10 tetor. Sipas trajnerit të ekipit përfaqësues, Ilir Çela, këta sportistë janë shumë të talentuar dhe kanë thyer shumë herë rekordet kombëtare. Ndaj ata synojnë zonën e medaljeve në këtë Botëror.
Shqipëria do të përfaqësohet në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes me 4 sportistë. Janë Alban Hoxha, Krenar Shorja, Emanuel Lushi dhe Sopot Sula ata që do të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi të shtangës në Botërorin e Lituanisë për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët, që do të zhvillohet në qytetin e Klaipedas, nga data 1, deri më 10 tetor 2015.
Dy nga këta shtangistë, Hoxha dhe Shorja prej disa ditësh po stërviten në palestrën e peshëngritjes së Shtërmenit nën drejtimin e trajnerit Ilir Çela. Trajneri Çela shprehet për AlbanianSport.com se dy peshëngritësit që po stërvit dhe ata që do t’i bashkohen ekipit në ditët në vijim janë shtangistët më te talentuar në vend dhe që kanë thyer shumë herë rekorde kombëtare.
Pak ditë më parë, shtangistët kanë kryer testin anti-doping nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe tashmë po vijojnë seancat stërvitore në Shtërmen.