AlbanianSport.com 24/10/2018 20:00
ASNN – Kampionati Evropiani i Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën 23-vjeçarët, Hoxha i 8-ti në 77 kg, Jovani e 7-ta në 58 kg. Në Zamosk të Polonisë po zhvillohet Kampionati Evropiani i Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën 23-vjeçarët, ku merr pjesë edhe Shqipëria. Ishin planifikuar katër sportistë kuqezi në këtë veprimtari, por jo të gjithë ia dolën të regjistrohen në kohën e duhur, edhe për shkak të paaftësisë së ish-Sekretarit të Përgjitshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni.
Për pasojë Shqipëria u përfaqësua me dy sportistë, një djalë dhe një vajzë. Ana Jovani garoi në peshën 53 kg, ku bëri një paraqitje relativisht të mirë, por jo në zonën e medaljeve. Në të dy stilet ajo zuri vendin e 7-të dhe po ashtu në dygarësh. Në shkëputje ngriti 60 kg, në shtytje 71 kg dhe në dygarësh 131 kg, duke mos iu ndarë në asnjë moment vendit të 7-të.
Në këtë peshë trupore, fituese në dygarësh u shpall turkja Sumej Kentli që ngriti 189 kg, pra 58 kg më shumë se sportistja kuqezi, një diferencë që nuk ka nevojë për koment. Nga meshkujt garoi Alban Hoxha, në peshën trupore 77 kg. Djaloshi shqiptar ngriti në shkëputje 137 kg, duke dështuar të realizojë në dy provat e tjera peshat 142 kg apo 145 kg. në këtë stil zuri vendin e 8-të.
Në shtytje ai ngriti 165 kg, por dështoi në provën e tretë me 168 kg. Për pasojë edhe në këtë stil u rendit i 8-ti nga 13 konkurrentë në bateri. Në total, ai ngriti 302 kg dhe u rendit përfundimisht në vendin e 8-të. Për shtangën shqiptare ky ishte sidoqoftë një prezantim i mirë, por aspak në linjë me sukseset e dikurshme dhe shumë larg rezultateve që shënuan konkurrentët e tyre në garë, ku fituesi në dygarësh në këtë peshë trupore, Bozhidar Andrev ngriti 338 kg.