Gjergj Vyshka 20.10.2015 18:55
Sekretari i përgjithshëm, Agron Haxhihyseni, duke cituar vendimin e Komitetit Drejtues për emisionin “E hëna sportive” në TVSH, ka pohuar se më i mundshëm për të marrë 75 pikët e kualifikimit për Olimpiadë është Evropiani i Norvegjisë më 2016-ën. Shqipëria e peshëngritjes ka hequr dorë nga pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të të rriturve, që do të zhvillohet më 17-27 nëntor në Hjuston të Norvegjisë. Edhe pse ishin deklaruar emrat që më parë, ndërsa për femra pritej të konkurronte Shqiponja Brahja e Evangjeli Veli, kurse për meshkuj Emanuel Lushi, Alban Hoxha, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Krenar Shoraj, Ervis Tabaku dhe Endri Karina, tashmë është hequr dorë.
Madje është hequr dorë me vendim të Komitetit Drejtues, të paktën siç ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, në emisionin “E hëna sportive” në TVSH. Ndonëse rezultatet e kampionatit janë të atilla që Calja mund të renditej i katërti, apo dhe Qerimaj të kishte një vend pranë medaljeve. Por bindja e Komitetit Drejtues dhe e eprorëve të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes është e atillë që pikët e humbura nga Botërori i Kazakistanit më 2014-ën, kjo për shkak të rasteve të dopingut, mund të rikuperohen vetëm në Evropianin e Norvegjisë në tetor. “Është e kot të mundohemi tani për të kërkuar atë që kemi humbur”, – ka thënë ai.
“Është mundësia më e mirë në Evropianin e Norvegjisë, sepse ka shumë më shumë shanse për të marrë medalje dhe për të rikuperuar ato 75 pikë të humbura një vit më parë, – ka vijuar Haxhihyseni. – Dhe unë jam i bindur që Calja, Qerimaj apo dhe ndonjë tjetër do të ketë medalje në Evropian. Dhe do të jenë medalje të pastra.” Haxhihyseni, ka kundërshtuar kështu, në një farë mënyre, idenë që mund të ketë gjobë, e cila ende nuk është shlyer ndaj Federatës Botërore të Peshëngritjes. Gjobë, e cila ndoshta vazhdon ta mbajë të penalizuar shtangën shqiptare, ndonëse ka qenë pjesëmarrëse në Evropianin e Të Rriturve, të moshës deri në 16 vjeç, apo dhe për të rinj e Nën-23-vjeç.”
“Ndërkohë sa i përket kandidaturës së Shqipërisë për Botërorin 2018, të paktën sipas Haxhihysenit, janë duke u bërë përpjekjet për të kontaktuar me të gjitha palët për të paraqitur më pas një kandidaturë serioze përpara bordit ekzekutiv. Por pasi të jenë shqyrtuar mundësitë, Shqipëria edhe mund të tërhiqet nga kjo kandidaturë. Gjithsesi, ndonëse premtohen medalje dhe kualifikim për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” në Evropianin e Norvegjisë, ajo që përbën lajm jo të mirë është tërheqja nga pjesëmarrja në Botërorin e Hjustonit, nga data 17, deri më 27 nëntor 2015, një transmetim ekskluziv i Televizionit Shqiptar…