AlbanianSport.com 18.10.2015 07:55
ASNN – Peshëngritja shqiptare shkon në Botërorin e nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke synuar të rikthejë dinjitetin në arenën ndërkombëtare pas goditjeve që mori nga skandalet me dopingun.
Duke folur për AlbanianSport.com, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza ka theksuar se nëpërmjet dy veprimtarive madhore ndërkombëtare të radhës, do të synohet kualifikimi individual për në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.
Në nëntor, në Hjuston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të zhvillohet Kampionati Botëror i Peshëngritjes për Të Rritur, në të cilin, sipas presidentit të shtangës kuqezi, Shqipëria shkon për të kapërcyer një periudhë të vështirë të dy-tri viteve të fundit.
“Siç dihet, sporti ka kaluar dy vite të vështira për shkak të problemeve me dopingun, që na kanë mohuar disa prej sportistëve tanë më të mirë, siç janë Daniel Godelli, Romela Begaj, por edhe Hysen Pulaku”, – tha Gjoza.
“Për këtë arsye, ne shpresat më të mëdha i kemi tek Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, të cilët mund të sigurojnë individualisht vendin në Olimpiadën e vitit të ardhshëm nëse arrijmë podiumin dhe medaljet”, – shtoi ai
Duke vijuar për AlbanianSport.com, Gjoza ka theksuar se nëpërmjet dy veprimtarive madhore ndërkombëtare të radhës, do të synohet kualifikimi për në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Kampionati Botëror i Peshëngritjes për Të Rritur zhvillohet në Hjuston, nga data 16, deri më 28 nëntor 2015.