Gjergj Vyshka 20.11.2014 12:25
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, edhe duke e vlerësuar sportin e shtangës si prioritar i ka kërkuar kreut të KOKSH-it, Viron Bezhani, më shumë afërsi me këtë institucion. “Ne jemi krenar për Romela Begajn dhe Daniel Godellin, të cilët janë heronj kombëtar, – ka deklaruar Gjoza.
“Këta janë të tillë për ato rezultate të mrekullueshme në Botëror, ndërsa do të falënderoja të gjithë ekipin, sepse kemi qenë skuadra më solide e Botërorit, ndërsa rezultatet e të gjithave na kanë dhënë sot gjashtë sportistë të kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, – ka theksuar ai.
“Janë pesë meshkuj dhe një femër, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris shtangën shqiptare. – Por duke qenë se ne kemi përpara Evropianin dhe Botërorin do të kemi dhe më tepër e do të jemi me skuadër të plotë. Që do të thotë se pas 42 vjetësh mungesë, që nga koha e Ymer Pampurit në Olimpiadën e Mynihut më 1972, do të kemi medaljet e para olimpike”
“Por do t’i kërkoja Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar më shumë afërsi, sepse peshëngritja është sport elitar në vend, – ka këmbëngulur presidenti Gjoza. – Ne kemi nevojë për riorganizim që nga trajnerët, pasi kemi ngelur në një grup trajnerësh që unë i përshëndes. Por dhe për gjyqtarët.”
“Më duhet të them dhe deklarimin e presidentit të Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Tomas Ajan: “E ardhmja e peshëngritjes është Shqipëria”. Ndaj na duhet më shumë mbështetje, sepse në Brazil do të jemi me ekip të plotë”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.