AlbanianSport.com 20.04.2016 22:55
ASNN – Konkurrimi i peshëngritësve shqiptarë në Kampionatin Evropian të Të Rriturve, që u mbajt së fundmi në Norvegji la shumë për të dëshiruar. Asnjë nga shtangistët kuqezinj nuk arriti objektivin e deklaruar më parë, ndërsa nuk arrit edhe kualifikimi ekipor për në Olimpiadën e Rios.
Të enjten Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të bëjë edhe një analizë të hollësishme të kësaj pjesëmarrje. Objektivi për të çuar në Olimpiadën e Rios një ekip me peshëngritës, nuk është arritur. Ky është konkluzioni i dalë në përfundim të konkurrimit të kombëtares së shtangës shqiptare në Evropianin e Norvegjisë.
Në të, asnjë nga sportistët kuqezi nuk arriti objektivin që i kishte vënë vetes dhe kjo pohohet edhe nga drejtuesit më të lartë të organizmit që qeveris shtangën shqiptare, presidenti Elez Gjoza dhe presidenti i nderit, Gudar Beqiraj. Sipas tyre, pas këtij Evropiani, Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të shikojë edhe njëherë pozicionin e trajnerëve aktualë.
Dhe jo vetëm të atyre, por edhe të sportistëve dhe në të ardhmen mund të marrë një trajner të huaj. Sipas Gjozajt, deri më tani, në Olimpiadën e Rios, peshëngritja shqiptare ka të kualifikuar vetëm Briken Caljen, i cili e arriti këtë në Botërorin e Hjustonit, ku u rendit i 6-ti.