Gjergj Vyshka 08.10.2015 15:20
Dje në mesditë, me ftesë të presidentit të Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF), Antonio Ursos, Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Agron Haxhihyseni, kanë qenë në një drekë të përbashkët pune.
Nisur nga fakti që Shqipëria është kandidate për Botërorin e të rriturve më 2018-ën, apo dhe fakti që Urso është anëtar i bordit ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes, atëherë kjo drekë duket se ka qenë frytdhënëse. “Na ka premtuar në ndihmë materiale, që ka të bëjë boshte dhe pedant”, – ka thënë Gjoza.
“Por dhe do të ofrojë nga Federata Evropiane e Peshëngritjes kurse për gjyqtar dhe trajner, – ka theksuar kreu i organizmit që qeveris shtangën shqiptare. – Sigurisht që ne jemi duke bërë përgatitjet tona për Kampionatin botëror të Hjustonit, pa harruar këtu dhe një plotësim të dokumentacionit për kandidaturën tonë të Botërorit 2018.”
Ndërkohë, peshëngritja do të zhvillojë më 16 tetor 2015 Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve, që do të mbahet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, kurse deri më 17 tetor 2015, afatin e fundit të dorëzimit të dokumentacionit të plotë të organizimit të Botërorit të Të Rriturve 2018.