Gjergj Vyshka 24.01.2016 10:10
Dhe një herë tjetër Gjoza në fjalën e tij ka përmendur vitin e vështirë 2015 për shkak të rasteve të dopingut që u kapën në Botërorin e Kazakistanit më 2014-ën. “Ne kemi pasur 100.000 dollarë amerikanë gjobë, sepse 50.000 ishin për tre rastet e para të dopingut të Çerçizajt, Godellit dhe Pulakut dhe 50.000 dollarë të tjera u konfirmuan pas rastit të Begajt”, – ka kujtuar ai në analizë.
“Na u bllokua dhe fondi “grant”, ndërsa e kishim të pamundur për të marrë pjesë në arenën ndërkombëtare nëse nuk do të shlyenim një pjesë të gjobës, – ka vijuar Gjoza. – Por në biseda me presidentin e Federatës Botërore të Peshëngritjes, Tomas Ajan, si dhe atë të Evropës, Antonio Urso, dy miq të Shqipërisë, ne arritëm të merrnim pjesë në Evropianin e Tbilisit, që do të ishte dhe veprimtaria jonë e parë për vitin 2015.”
“Duhet të falënderoj dhe trajnerët e tjerë, teksa viti 2016 është shumë i rëndësishëm për ne, sepse në Oslo do të kërkojmë kualifikimin për në Olimpiadë të paktën me dy sportistë. E pse jo në Rio të kërkojmë medaljen olimpike”, – ka përfunduar. kreu i organizmit që qeveris peshëngritjen shqiptare, Elez Gjoza.