Gjergj Vyshka 18.02.2015 12:05
Analiza vjetore mbetet në heshtje dhe për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. “Luftë kundër dopingut”, ky do të jetë objektivi i shtangës kuqezi për vitin 2015. Peshëngritja shqiptare dje në mesditë, si rrallëherë, e ka “kyçur” asamblenë e saj të zakonshme. E zhvilluar pranë mjediseve të Njësisë Bashkiake Nr. 2, më saktë tek një nga zyrat e Dhomës Britanike të Tregtisë, peshëngritja shqiptare ka mbetur larg kamerave e larg gazetarëve, ndërsa duket se ka pasur frikë nga ato që mund të thuheshin aty e që mund të ishin të vërteta për fatet e shtangës.
Madje nuk kanë qenë të pranishëm as përfaqësuesit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa presidenti i saj Viron Bezhani, ndoshta edhe për mungesë ftese, as nuk ka qenë i pranishëm dhe as nuk e ka ditur që do të bëhej kjo asamble. Të paktën edhe për të qenë në rregull, në asamblenë e zakonshme të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, quajtur ndryshe analiza vjetore e 2014-s, kanë qenë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të cilët janë përfaqësuar nga drejtori i sporteve Vladimir Gjonaj.
Madje ky i fundit ka çuar dhe vendimin e firmosur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, për emërimin e Agron Haxhihysenit në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm, kjo pas dorëheqjes së parevokueshme të Muharrem Berishës. Të paktën ashtu sikurse është diskutuar dhe në asamblenë e zakonshme të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, diviza apo objektivi kryesor i shtangës shqiptare përgjatë vitit 2015 do të jetë lufta e ashpër kundër dopingut. Është kërkuar më shumë rritje e cilësisë së trajnerëve të ekipit kombëtar, por dhe punës stërvitore nëpër klube.
Po kështu janë mbajtur raporti i veprimtarive të vitit 2014, raporti financiar, si dhe pjesëmarrja në të gjitha veprimtaritë e vitit 2015, atje ku drejtuesit e shtangës shqiptare janë të bindur se do të kualifikohen me normë. Ajo që nuk është bërë në këtë asamble vjetore, apo quajtur ndryshe e zakonshme, është fakti se nuk janë zëvendësuar tre anëtarët e dorëhequr të Komitetit Drejtues. Sepse tashmë edhe për shkak të rasteve të dopingut në peshëngritje, sidomos pas rasteve në Botërorin e Kazakistanit dhe Evropianin të Nën-23-vjeçarëve të Qipros, nuk janë më pjesë e këtij Komiteti, Theodhoraq Masllavica, Ndriçim Pulaku dhe Arben Carkanji.
Që do të thotë se mungesa e plotësimit të këtyre tre anëtarëve të dorëhequr, të cilët fare mirë mund dhe duhet të ishte bërë me miratimin e delegatëve të klubeve dhe shoqatave anëtare të asamblesë së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e lë Komitetin Drejtues vetëm me katër anëtare. Megjithatë përtej këtyre problemeve, apo kyçjes në mënyrë të pakuptimtë të Asamblesë së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për mediat, analiza vjetore e shtangës u krye, ndërsa Agron Haxhihyseni është sekretari i përgjithshëm i institucionit më të lartë të sportit të shtangës në vend.