Gjergj Vyshka 01.12.2016 12:30
Jehona e vizitës së presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF), Tamas Ajan, në Tiranë fundjavën e kaluar ka shkuar deri në faqen e internetit të institucionit më të lartë të shtangës ndërkombëtare.
Pikërisht për këtë vizitë të Tomas Ajanit në Tiranë është shkruar: “Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes, Dr. Tamas Ajan, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë me rastin e festimit të presidentit të nderit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Gudar Beqiraj, i cili ka kremtuar “50 vjet në sportin e peshëngritjes”.
“Gjatë ceremonisë, Dr. Ajan dhe Prof. Beqiraj kanë pasur dhe një takim ku është shprehur me superlativa për shërbimin që i ka bërë Federatës Botërore të Peshëngritjes, si dhe këtij sporti”, – ka vijuar njoftimi i vendosur në faqen e IWF-së.
Gjatë vizitës në Tiranë, Dr Tamas Ajan ka folur dhe para gazetarëve në lidhje me strategjitë e Federatës Botërore të Peshëngritjes për të ardhmen, madje duke përfshirë dhe një bashkëpunim të ngushtë me Federatën Shqiptare të Peshëngritjes”, – thekson njoftimi.
“Gjatë vizitës së tij në Tiranës, Tomas Ajan është shoqëruar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, dhe sekretari i përgjithshëm, Agron Haxhihyseni”, – ka përfunduar faqja e internetit të institucionit më të lartë të shtangës ndërkombëtare.
E kjo gjë padyshim që i ka lumturuar drejtuesit aktualë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.