Gjergj Vyshka 02.02.2015 09:35
Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka lajmëruar nëpërmjet drejtorit teknik të saj Agron Haxhihyseni se sot në mesditë, në ambientet e palestrës pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, do të dalë në konferencë për shtyp.
Situata e rëndë e krijuar pas rasteve të dopingut, atje ku Begaj dhe Pulaku u konfirmuan në analizën B, ndërsa ende nuk ka një përgjigje të saktë për Daniel Godellin, pritet që të nxjerrë drejtuesit më të lartë të shtangës shqiptare përpara medies së shkruar dhe elektronike.
Jo vetëm kaq, por edhe largimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha, pas këtyre rasteve të dopingut, duket se ka krijuar një situatë kolapsi tek shtanga shqiptare.
Në fakt një konferencë shtypi ishte paralajmëruar dhe një javë më parë, e cila u anulua. Kurse të shtunën Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka pasur dhe një mbledhje të Komitetit Drejtues.
E për të gjitha këto, sot shtanga shqiptare do të jetë në konferencë për shtyp.