AlbanianSport.com 21/12/2018 19:50
ASNN – Në një takim special në Elbasan, Federata Shqiptare e Peshëngritjes dekoroi sot tre personalitete të këtij sporti, që kanë dhënë kontributin e tyre për sportin e shtangës në tërësi. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zyrtarët kryesorë të FSHP-së, ndërsa kanë marrë medaljen e artë “Nderi i Federatës”, Shyqyri Berisha, Febri Subashi dhe Dhimitër Nani.
Ishte pikërisht Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica, ai që i dorëzoi këto medalje për ikonat e shtangës së Elbasanit. Natyrisht, vlerësime të tilla vijnë në kuadër të përmbylljes së veprimtarive sportive të peshëngritjes për vitin 2018 dhe në prag të bërjes së analizës vjetore, e cila do të mbahet më 28 dhjetor 2018 në kryeqytet.
Ambiciet e shtangës janë që gjatë vitit 2019 të garojë për titull evropian, por, njëherësh, edhe për rezultate të larta në Botëror, që të ketë mundësinë dërgimit të sa më shumë sportistëve olimpike. Për momentin, peshëngritja është duke hartuar një strategji për vitin 2019, e cila bazohet jo vetëm në kapjen e rezultateve maksimale nga shtangistët elitarë, por edhe përhapjen më të madhe të këtij sporti tek të rinjtë, me sens të veçantë përfshirjen e sa më shumë femrave në garat e peshëngritjes.