Gjergj Vyshka 16.04.2016 10:45
Dy shtangistët e fundit të peshëngritjes shqiptare në Kampionatin Evropian të Fjërdes në Norvegji kanë qenë Endri Karina dhe Sopot Sula, të cilët kanë konkurruar në peshën 94 kg. Karina në provën e parë në stilin e shkëputjes nuk ka mundur të ngrejë 155 kg, të cilën më pas e ka realizuar në provën e dytë. Dhe në provën e tretë me 160 kg është në vendin e katërt.
Në shtytje e nis mirë me 185 kg, por nuk ka mundur të realizojë 190 kg në dy tentativë e për rrjedhojë në këtë stil është në vendin e 5-të. E me 345 kg në dygarësh është në vendin e tretë në Baterinë B. Për Sulën gjërat nuk ecin dhe aq mirë në stilin e shkëputjes, sepse ka realizuar me sukses 150 kg dhe më pas nuk ka mundur të realizojë dy herë 155 kg dhe është në vendin e 5-të.
Më pas në shtytje ka realizuar 180 kg në provën e parë, por më pas nuk ka mundur të ngrerë 187 kg në dy tentativa dhe për rrjedhojë e ka mbyllur në vendin e tetë në shtytje. E me 335 kg në dygarësh është renditur në vendin e pestë. Për rrjedhojë tashmë pritet edhe Bateria A e peshës 94 kg për të ditur përfundimisht renditjen e Karinës dhe Sulës, ndërsa është e sigurt që do të japin pikë për Shqipërinë.
Ashtu sikurse kanë dhënë Brahja me vendin e tetë, Veli me vendin e pestë, Shoraj me vendin e tetë, por jo Calja e Qerimaj. Madje për Shorajn, pas përfundimit të Baterisë A të peshës 85 kg, ka qenë kjo renditje; vendi i dymbëdhjetë në shkëputje me 140 kg, vendi i tetë në shtytje me 190 kg dhe vendi i tetë në dygarësh me 350 kg. Sidoqoftë, paraqitja e tij, por dhe e Karinës e Sulës, pavarësisht se janë në vendin e tretë dhe të pestë në dygarësh bateria B, sërisht janë të mira dhe të pranueshme për shtangën shqiptare.