Gjergj Vyshka 24.02.2015 10:40
Përtej përpjekjeve të presidentit Gjoza dhe sekretari Haxhihyseni në Tbilisi nuk shkohet. Federata e kontinentit e peshëngritjes ka kthyer përgjigje: “Kanë kaluar të gjitha afatet”. Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rritur, i cili në muajin prill do të zhvillohet në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, duket se është “mollë e ndalueme” për shtangistët tanë. E kjo jo për shkak të rasteve të dopingut që ndodhen në Botërorin e Të Rriturve në Kazakistan, apo dhe në Kampionatin Evropian të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve.
Por sepse drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, të paktën edhe sipas shpjegimit të Federatës Evropiane të shtangës (EWF), i kanë kaluar të gjitha afatet e regjistrimit, ndërsa tashmë nuk mund të bëhet asgjë për t’u rifutur në këtë garë, e cila do të ishte e vlefshme për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Përtej përpjekjeve të presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, apo dhe sekretarit të përgjithshëm Agron Haxhihyseni, ky i fundit më 17 shkurt ka marrë emërimin zyrtar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në rolin e kryekzekutivit të shtangës shqiptare, evropianët nuk kanë lëshuar më.
Nuk kanë lëshuar, sepse jo vetëm që tanët nuk i janë përgjigjur asnjë “e-mail”-i të ndërkombëtarëve për të marrë fjalëkalimin dhe më pas kryerjen e regjistrimit “on-line”, por kanë kërkuar që nëpërmjet shumë ndërhyrjeve e njohjeve të vjetra të mund të bëjnë të mundur pjesëmarrjen e Shqipërisë në Evropianin e Peshëngritjes. Mirëpo ndërkombëtar, e aq më tepër Evropa ka thënë “STOP”, sepse kërkon zbatimin e standardeve, sikurse bëjnë të gjithë anëtarët e familjes së shtangës në kontinentin plak.