AlbanianSport.com 28.10.2014 20:45
ASNN – Nga data 20, deri më 29 nëntor 2014, do të mbahet në Limasol të Qipros Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët. Në Federatën Evropiane (EWF), Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka dorëzuar paraprakisht 6 emra, por që zyrtarisht shtypi sportiv shqiptar raporton se jo të gjithë do të udhëtojnë drejt Qipros.
Në listën e pjesëmarrjes janë konfirmuar këta kandidatë: Emanuel Lushi (pesha 62 kg) për të rinj; Alban Hoxha (pesha 69 kg) për të rinj; Sopot Sula (pesha 94 kg) për të rinj; Hysen Pulaku (pesha 77 kg) për kategorinë Nën-23-vjeç; Daniel Godelli (pesha 77 kg) për kategorinë Nën-23-vjeç dhe peshëngritësi Krenar Shorja (pesha 85 kg) po për kategorinë Nën-23-vjeç.
Ndërkohë në listën e publikuar në faqen zyrtare të EWF-së ka konfirmuar pjesëmarrjen me një peshëngritës edhe Federata Kosovare. Kështu, sportisti do të jetë Arbnor Krasniqi, i cili do të konkurrojë në kategorinë e të rinjve në peshën 69 kg. Pritshmëritë për tanët janë për medalje, gjithashtu edhe për ndonjë rekord të mundshëm, nga emra të konfirmuar të shtangës kuqezi, ndonëse në moshë të re.