Gjergj Vyshka 20.02.2017 16:35
Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka respektuar të gjitha afatet e pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian të Të Rriturve, që do të mbahet në Split të Kroacisë, nga data 2m deri 8 prill 2017, ndërsa ka dërguar zyrtarisht peshëngritësit dhe deklarimet e tyre. Kështu, në kategorinë e peshës trupore deri në 53 kg, Evangjeli Veli ka deklaruar që tani 190 kilogram në dygarësh. Në kategorinë e peshës trupore deri në 63 kg, Romela Begaj, që rikthehet në veprimtaritë ndërkombëtare pas dy vjet e gjysmë, është me 220 kilogram në dygarësh.
Për meshkuj, në kategorinë e peshës trupore deri në 62 kg, Romario Avdiraj është me 265 kilogram në dygarësh. Në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg, Briken Calja ka deklaruar 330 kg, duke qenë i pari në listë sa i përket potencialit. Në kategorinë e peshës trupore deri në 77 kg, atje ku duket se do të përsëritet dyluftimi i Izraelit 2014, Daniel Godelli është 362 kilogram në dygarësh dhe Erkand Qerimaj me 355 kilogram në dygarësh. Në kategorinë e peshës trupore deri në 85 kg, Krenar Shoraj deklarohet me 351 kilogram në dygarësh.
Për të vazhduar me Endri Karinën në kategorinë e peshës trupore deri në 94 kg, me 365 kilogram në dygarësh dhe Ermand Tabakun, me 350 kilogram në dygarësh. Në peshën e rëndë, +105 kg, Edison Elmazi është me 330 kilogram në dygarësh. Ndërkohë, nga data 1, deri më 3 mars 2017, është rikonfirmimi i këtyre hyrjeve në listë dhe nga data 6, deri më 8 mars i skuadrave përfundimtare, kurse koha e pagesës së pjesëmarrjes në Evropian është më 14-15 mars 2017. Sakaq më 30 mars është lënë mbledhja e Komitetit Drejtues të Federatës Evropiane të Peshëngritjes, salla e stërvitjes do të jetë e hapur për të gjithë që më 31 mars 2017.
E në po të njëjtën datë do të jetë dhe mbledhja e Bordit Ekzekutiv, kurse në këtë ditë, në një afat nga ora 18:00-19:00, do të bëhet verifikimi final i ekipeve nëpërmjet menaxherëve të ekipeve. Kongresi i Federatës Evropiane është më 1 prill 2017, ndërsa gara zyrtarisht do të jetë nga data 2, deri më 8 prill 2017. Sakaq peshëngritja të premten në Durrës do të ketë Kupën e Shqipërisë, që do të mund të konfirmojë emrat dhe formën e këtyre sportistëve të regjistruar tashmë në Evropian.