Gjergj Vyshka 29.09.2016 12:30
Vetëm katër muaj më parë në Akademinë e Shkencave ka qenë i pranishëm presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, që ka qenë i ftuar dhe në promovimin e librit të Agron Haxhihysenit “Historia e Peshëngritjes Shqiptare”. Dhe Shqipëria do të jetë organizatorja e Kampionatit Evropian të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve në Tiranë vitin e ardhshëm.
Ashtu sikurse ka qenë organizatore e të njëjtit kampionat në Durrës më 2008-ën, apo dhe i të rriturve në prill 2013. Dhe kur kështu po shkohet në numrin 3 të veprimtarive evropiane, atëherë Shqipërisë i ka lindur e drejta të kërkojë dhe Botëror. E ka bërë këtë gjë dhe duhet të jetë me shumë fat që të jetë ajo organizatorja e Kampionatit Botëror të të rinjve më 2019-ën.
Fakti që kandidatura jonë është mirëpritur do të thotë shumë, ashtu sikurse një organizim shembullor i këtij Evropiani të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve do të jetë dhe një plus më i madh. Kështu, peshëngritja shqiptare është momentalisht kandidate potenciale për Kampionatin Botëror të Të Rinjve më 2019-ën.