AlbanianSport.com 11.04.2016 20:50
ASNN – Evangjeli Veli e mbylli në vendin e pestë në garën e saj në kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur, që po zhvillohet në Norvegji.
Sportistja shqiptare konkurroi në kategorinë e peshës trupore deri në 53 kilogramë, ku 24-vjeçarja kaloi me sukses vetëm nga një provë në secilin stil.
Evangjeli Veli ngriti në total 183 kilogramë. Ky është rezultati më i mirë ekipit shqiptar deri më tani në këtë veprimtari.
E para në garë ka qenë Shqiponja Brahja, e cila ka garuar në grupin A të kategorisë së peshës trupore deri në 48 kg.
Në garën e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ajo ka zënë vendin e 8-të me 165 kg në dygarësh.
Në ditët në vijim do të garojnë edhe të tjerë peshëngritës, mes tyre edhe Erkand Qermaj, kampion i Evropës në vitin 2014.
Të martën do të jetë në garë Briken Calja në peshën 69 kg, të mërkurën Erkand Qerimaj pesha 77 kg.
Kurse të enjten Krenar Shoraj në peshën 85 kg. Dhe mbyllin gjithçka për shtangën kuqezi në Norvegji Endri Karina dhe Sopot Sula në peshën 94 kg të premten.
Duhet theksuar se për Shqipërinë e shtangës kjo është shpresa e fundit për të shkuar me normë kualifikimi në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.