AlbanianSport.com 18/12/2018 18:25
ASNN – Shtanga e mbyll vitin me dekorime dhe analiza, 2019 viti i shpresës së madhe. Federata Shqiptare e Peshëngritjes po përgatit analizën e fundvitit, e cila do të mbahet më 28 dhjetor 2018. Në këtë analizë do të bëhet një bilanc i punës së FSHP-së për vitin 2018 dhe do të ketë njëherësh shpalosje objektivash për vitin 2019, i cili vlen edhe për kualifikimin e sportistëve kuqezinj në Olimpiadën e Tokios së vitit 2020.
Viti 2018 ishte i suksesshëm për shtangën, pasi la prapa problemet e dopingut, ia doli të sigurojë disa rezultate të mira në planin kombëtar e madje me Briken Caljen siguroi edhe 3 medalje të arta evropiane. Është e vërtetë që shtanga po ballafaqohet me sfida, si në planin e organizimit, gjetjen e elementëve të rinj e premtues, si dhe pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.
Këto kërkojnë një buxhet më të madh sesa ka pasur gjatë vitit 2018. Ndërkohë, para se të bëhet analiza vjetore, shtanga do të bëjë tre dekorime në Elbasan më datën 21 dhjetor, por në këtë rast informacionet e federatës janë të rezervuara, sepse duket të jenë surprizë e këndshme për komunitetin e peshëngritjes në qarkun e Elbasanit, qarku që ka pasur një peshë të madhe në nxjerrjen e talenteve të spikatura të peshëngritjes shqiptare.